Regjistrohu në Andale Newsletter dhe bëhu pjesë e audicioneve të shpeshta.

KLIKO KËTU

Regjistrohu në audicionet Andale:

KLIKO KËTU
close

Miti Beckham po shkatërrohet? Të famshëm, të pasur dhe në krizë familjare

  • Nga Andale
  • 20 Janar 2026, 23:24

Miti Beckham po shkatërrohet? Të famshëm, të pasur dhe

Edhe familjet që duken si brand, në fund të ditës janë ende...familje. ;)

Të pasur, të pushtetshëm dhe estetikisht të paprekshëm, por këto ditë familja Beckham me shumë gjasë po kalon një fazë më të vështirë se e jotja. Djali i madh, Brooklyn, ka thyer heshtjen dhe ka konfirmuar publikisht përçarjen me prindërit. Dhe jo, nuk u kursye fare, po fare ama.

Në një postim të gjatë në Instagram, Brooklyn flet për ankthin që thotë se e ka shoqëruar gjithë jetën, për kontrollin mediatik të familjes dhe për një seri ngjarjesh që, sipas tij, e detyruan të distancohet nga familja. Ai e bën të qartë: nuk ka interes për t’u pajtuar.

Miti Beckham po shkatërrohet? Të famshëm, të pasur dhe

Në qendër të konfliktit qëndron martesa e tij me Nicola Peltz. Brooklyn lë të nënkuptuar se Nicola është portretizuar si “amerikania ambicioze që prishi familjen Beckham”, por sipas tij, kjo narrativë është e përmbysur. Ai pretendon se prindërit e tij, David Beckham dhe Victoria Beckham, kanë tentuar ta kontrollojnë, duke mos e pranuar plotësisht bashkëshorten e tij dhe duke tentuar të sabotojnë marrëdhënien.

Madje, Brooklyn shkon më tej duke thënë se natën para dasmës, anëtarë të familjes i thanë se Nicola “nuk është gjaku ynë” dhe “nuk është familje”. Ai përmend edhe presione për të nënshkruar dokumente që do t’i hiqnin atij dhe nuses së ardhshme çdo të drejtë mbi emrin Beckham.

Dasma e prillit 2022, që nga jashtë dukej perfekte, sipas Brooklyn-it ishte gjithçka përveç kësaj. Ai flet për fustanin e nusërisë, që fillimisht pritej të ishte dizajnuar nga Victoria Beckham, por u anulua në minutë të fundit, duke e detyruar Nicola-n të kalonte te Valentino.

Miti Beckham po shkatërrohet? Të famshëm, të pasur dhe

Drama, sipas tij, kulmoi gjatë dasmës, kur Marc Anthony e thirri në skenë për vallëzimin e parë me nusen, por në vend të kësaj, Victoria Beckham kërceu me të. Brooklyn e përshkruan momentin si “krejtësisht të papërshtatshëm” dhe thotë se nuk është ndier kurrë më i poshtëruar. Kjo është arsyeja pse ai dhe Nicola rinovuan betimet martesore më vonë, për të krijuar kujtime pa ngarkesë emocionale.

Edhe marrëdhëniet me vëllezërit nuk shpëtuan. Brooklyn thotë se Cruz Beckham dhe Romeo Beckham e kanë bllokuar në rrjete sociale dhe se janë përdorur si pjesë e një strategjie familjare për menaxhimin e imazhit. Vendimi për të folur publikisht, sipas tij, erdhi pasi ai kishte heshtur për vite me radhë, ndërsa familja vazhdonte të komunikonte me shtypin përmes burimeve.

Miti Beckham po shkatërrohet? Të famshëm, të pasur dhe

Një tjetër episod i rëndësishëm është mungesa e tij në festën e 50-vjetorit të David Beckham. Brooklyn thotë se ai dhe Nicola udhëtuan drejt Londrës për të kaluar kohë private me të atin, por u refuzuan. David ishte i gatshëm të takohej vetëm gjatë festës publike, ose privatisht, por pa Nicola-n.

Drama përfshin edhe gjyshet. Një tjetër pikë përplasjeje rreth dasmës Beckham–Peltz duket se ka qenë vendimi i çiftit për të ulur gjyshet në tryezën e tyre, dhe jo prindërit. “Mamaja ime shkoi deri aty sa më quajti ‘i lig’,” thotë Brooklyn.

Ai pretendon gjithashtu se Victoria ka organizuar takime me ish-partnere të Brooklyn që ai dhe gruaja, Nicola, të ndihen në silet.

Në thelb, Brooklyn përshkruan një fëmijëri dhe rini të rritur nën presion konstant, ku imazhi i familjes ka qenë mbi gjithçka. Ai thotë se tani, për herë të parë, jeton pa ankth dhe me qetësi pranë Nicola-s. Krahasimet me Princin Harry nuk kanë munguar dhe po, interneti tashmë po parashikon edhe një dokumentar të mundshëm në Netflix.

David dhe Victoria Beckham nuk kanë reaguar ende publikisht. Brooklyn, ndërkohë, thotë se po mbron veten dhe jetën e tij.

Beckham-ët na kujtuan se mund të kesh gjithçka: famë, para, dokumentarë në Netflix, por prapë të mos shpëtosh dot nga sherret familjare. Dallimi i vetëm? Tek ne sherret ndodhin nëpër dreka a darka familjare. Tek disa të tjerë, në Instagram dhe me kamerat e Netflix-it gati.


NEWS

PODCASTS

SPORTS

GAMING

DATING

VIDEO